Filozofski fakultet, 14.05.2020
PERIUDHA ME FJALI TË VARUR LEJORE
Çështjet:
Literaturë: - Gramatika e gjuhës shqipe (II) 1997
- Fraza me nënrenditje (M.Totoni) T.2000
* * *
Periudhë me fjali të varur lejore quhet ajo periudhë në të cilën fjalia e varur shpreh një veprim a gjendje që pritet të pengojë realizimin e veprimit të fjalisë drejtuese, por që nuk arrin ta ndalojë atë. Brendia e fjalisë drejtuese nuk është pasojë logjike e brendisë së fjalisë së varur, por një pasojë e kundërt me atë që pritej të ndodhte.
Në periudhat me fjali të varura lejore marrëdhënia midis njësive kallëzuesore paraqitet si lidhje e dy situatave, prej të cilave, ajo që shprehet në fjalinë e nënrenditur, nuk është bazë e mjaftueshme për të anuluar situatën që përmbahet në fjalinë drejtuese. Thënë ndryshe, në këto periudha fjalia e varur lejore tregon një ngjarje, një fakt që e kundërshton, por pa e penguar plotësisht realizimin e asaj që thuhet në fjalinë drejtuese. Për shembull :
Megjithëse jemi një popull i vogël, kemi ruajtur në shekuj gjuhën tonë të lashtë.
Ndonëse Kongresi nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e alfabetit, për lëvizjen kombëtare shqiptare ai pati një rëndësi të madhe jo vetëm kulturore, por edhe politike.
Marrëdhënia lejore vjen si rezultat i bashkëveprimit të të dy përbërësve kuptimorë: të një kushtëzimi dhe të një kundërshtie. Për shembull, në periudhën:
Ndonëse qielli u bë pus, shi nuk ra,
përmbahet një kusht i fshehtë që mendohet:
Në qoftë se qielli bëhet pus, bie shi;
dhe një kundërshti:
Qielli u bë pus, por shi nuk ra.
Në periudhat me fjali të nënrenditura lejore, kuptimi i kundërshtisë mund të shprehet:
Së pari, si kundërvënie e dy gjymtyrëve, për shembull:
Ndonëse ishte injorant në fushën e gjerë të ekonomisë, ai ishte dhelparak në punët e veta.
(F.Konica);
Së dyti , si kundërvënie pohim – mohim, për shembull:
Ngjan si një përkim i sajuar prej poetësh, ndonëse nuk ka kurrfarë sajimi.
(I. Kadare);
Së treti, si kundërvënie e brendive të fjalisë, që shpesh bëjnë të qartë a nënkuptojnë rastet e mësipërme, b.f.:
Në breg të lumit luan dhe me gurë,
Megjithëse thinja ka dhe është burrë.
(D.Agolli)
Së katërti, si kundërvënie e kuptimit të përgjithshëm e të papërcaktuar të një fjale me të veçantën a të përcaktuarën e nënkuptuar prej saj, fjala vjen :
Kushdo që të fitojë, mjafton të jetë nga skuadra jonë.
(nënkupto kundërvënien kushdo – dikush).
E pesta , si kundërvënie shkallëzuese e tipit jo vetëm....por edhe, për shembull:
Edhe i vdekur të ishe, kishe kohë të ngriheshe nga varri e të vije më parë!
(nënkupto: jo vetëm i gjallë, por edhe i vdekur).
(Z.Çela)
Jashtë këtyre rasteve humbasin marrëdhëniet lejore, sepse nuk ka as kusht pengues, as kundërshti.
Sipas kuptimit dhe ndërtimit dallohen tre nëntipa të periudhave me fjali të varura lejore:
Vuri dorën në ballë, edhe pse nuk i dhimbte koka.
Këto periudha përbëjnë tipin më të përdorshëm; fjalitë lejore lidhen me fjalitë drejtuese me lidhëzat e lokucionet lidhëzore: megjithëse / megjithëqë, anipse, ndonëse, sadoqë, sidoqë, edhe pse, pavarësisht se / që, paçka se; me lidhëzat dyshe: vërtet që.....por dhe le që.....por dhe foljen-kallëzues e kanë në mënyrën dëftore. Për shembull :
Megjithëse u shkrua vonë, gjuha jonë është zhvilluar si gjuhët më të lëvruara të Europës.
Ndonëse rronin bashkë, ata nuk i ishin shfaqur ende njëri-tjetrit.
Fjalitë e varura lejore në këto periudha lidhen edhe me lokucionet : pavarësisht se (ardhur nga ndikimi i gjuhëve të huaja – fjalës në rusisht njezavisimo), në vend që, dhe me lidhëzën sa, për shembull:
Teuta, në vend që të ishte e para, na vjen me kaq vonesë.
Sa të rri kot në shtëpi, më mirë të bëj ndonjë punë.
Vërtet që jeni të rinj, por këto vështirësi duhen kaluar.
Pavarësisht se jemi një shtet i vogël, pluralizmi ka lindur parti si kërpudhat pas shiut.
Në periudhat me fjali të varura lejore reale kuptimi i kushtit është i mbuluar, kurse kuptimi i kundërshtisë është lehtësisht i kapshëm dhe të gjitha këto struktura (dyshe), kur midis fjalive përbërëse mund të vihet lidhëza por, duke hequr lidhëzën a lokucionin lidhëzor, shndërrohen në periudha parataktike, f.v.:
Megjithëse dasma bëhej larg, muzika vinte fare pranë.
(Dasma bëhej larg, por muzika vinte fare pranë.)
Paçka se shkuan në mërgim,/ Sërishmi erdhën fluturim.
(D.Agolli)
Le gomari që na ngordhi, po s’na lënë rehat as mizat.
(J.Xoxa)
Sado ta fshehësh fajin, do ta vuash atë në vetvete.
Në këto periudha fjalia e nënrenditur lidhet me fjalinë drejtuese me anë të ndajfoljeve me kuptim të përgjithshëm – të pasuar ose jo me një që : sado që, sado...që, sido që, sido...që, kurdo që; me përemra të pacaktuar lidhorë: kushdo që, cilido që, çfarëdo që. Foljen-kallëzues këto fjali lejore e kanë në mënyrën lidhore e më rrallë në dëshirore. Në planin kuptimor këto fjali të varura lejore kanë si veçori që pengesën e realizimit të veprimit për fjalinë drejtuese, e shfaqin në një shkallë të lartë, që megjithatë, e lejon arritjen e përmbajtjes së fjalisë drejtuese, për shembull:
Sado vonë që të jetë, për të mësuar nuk është kurrë vonë.
Sido që të jetë, sille menjëherë.
Koncepti i përgjithësimit që kanë këto fjali lidhet me masën a shkallën e veprimit, llojin e cilësisë a mënyrën e shfaqjes së një veprimi, lidhet me kohën a vendin e kryerjes së veprimit. Për shembull :
Sado i zoti që të jesh, do të kesh nevojën e shokëve.
Sido që të vijë, me shira e me erë, pranvera do të shpërthejë lule, patjetër.
Kurdo që të kujtoj, zemra më lëndohet nga malli.
Edhe sikur të rrëzohemi nëntëdhjetë e nëntë herë, prapë duhet të ngrihemi.
Edhe nëse e ke lexuar, nuk e paske lexuar mirë.
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë/ E ta trembin/ Ai s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë.
(N.Frashëri).
Sikur edhe pyllit t’i vënë flakën, këtu ku jemi ne s’shohim asgjë, se s’na lë mali.
(Dh.Xhuvani)
Periudhat me fjali të varura lejore-kushtore lidhen me lidhëzat : sikur, po, në; më rrallë me: në qoftë se, po qe se, kur, duke marrë përpara pjesëzat shtuese dhe, edhe.
Ajo, edhe po ta merrje për grua, nuk do të të falte asgjë më tepër se unë.
(S.Çomora).
Edhe në qofsha sëmurë, do të dal menjëherë.
Periudhat me fjali të varura kushtore me lidhëz zero fitojnë kuptim lejor edhe nëse përpara foljeve shtohet pjesëza le.
Një grup notarësh veteranë të Shkodrës laheshin në Bunë, le të ishte dimër i ftohtë.
Vlerën e një lokucioni lidhëzor lejor do t’i japim edhe ndërtimit “qoftë edhe + sikur”, për shembull:
Do t’i kisha shkuar vetë në shtëpi, qoftë edhe sikur ta dija se do të më kundërshtonte.
Ashtu si edhe shumë fjali të tjera të varura, edhe fjalia lejore, për synime të caktuara stilistike dhe sipas synimit të thënies, nëpërmjet parcelizimit, mund edhe të shkëputet nga fjalia drejtuese me një pauzë të gjatë e të dalë më vete, bie fjala: Çdo gjë mund të ngjasë në këtë botë. Megjithëse këtë s’ia rrokte mendja askujt. Fjalitë e varura lejore kanë rend të lirë në periudhë e zënë çdo pozicion, por paravendosja është më e zakonshme, veçse rendi nuk ka vlerë aktualizuese: fjalia e nënrenditur përmban informacion të njohur dhe i takon temës së periudhës. Kur vendoset pas, fjalia e varur nuk ka ngarkesë kumtuese, për shembull:
Asgjë nuk përsëritet njëlloj dy herë, sado e ngjashme të jetë lëvizja.
(S.Godo)
Ushtrim 1: Shkruani fragmentin dhe plotësoni kërkesat më poshtë:
E kështu troktharakët, gjithë ato ditë të bukura të javës së fundit të marsit, në vend që të ngulnin në tokë thundrat e pendëve dhe hundët e plugjeve që prisnin atje në oborr me turinjtë që nuhatnin qiellin, ngulnin fushnjerat në kënetë, lëronin koren mavi të detit me gishtërinjtë e tyre, të fryrë e të përskuqur nga morthi dhe mblidhnin me gribat, natën, peshkun kontrabandë, për t’i shpënë shtëpisë, ato ditë kreshmesh të rrepta, një çikë gjellë, se edhe fasulet atë mot patën qenë të paka.
(Jakov Xoxa, Tiranë, 1974, f. 353 )
Ushtrimi 2 : Shkruani fragmentin dhe bëni skemën e periudhës:
Të ngushëlluarit është gjëja më e vështirë për njeriun ashtu siç është të uruarit gjëja më e lehtë, por të ngjitesh gjer në gëzimin e tjetrit, edhe sikur ky të mos jetë drejtpërdrejt gëzimi yt, nuk ka ndonjë zor të madh, sidomos kur buçet kënga e shkumon rakia që të marrin për dore e të shpien vetë gjer atje lart; kurse të zbresësh në hidhërimin e tjetrit, kur ky hidhërim s’është drejtpërdrejt dhe hidhërimi yt, është me të vërtetë gjë e vështirë e, sidomos, kur aty përpara shkojnë lotët rrëke e ti i ndjen sytë thatë e shterpë, sepse lotët e tjetrit mezi pihen e mezi zbresin gjer atje poshtë, andaj dhe ngushëllimi nuk zë siç zë gjumi.
( Jakov Xoxa, Tiranë, 1974, f. 364)