Nova objava - 16.04.2020 20:03




PERIUDHAT ME FJALI TË NËNRENDITURA RRETHANORE

 

  1. Periudha me fjali të nënrenditur shkakore
  2. Periudhat me fjali të nënrenditura qëllimore

 

  1. Periudhë me fjali të nënrenditur shkakore quhet ajo periudhë në të cilën pjesa e nënrenditur motivon shkakun e realizimit të asaj që thuhet në pjesën kryesore, thënë ndryshe, ku fjalia e varur tregon shkakun e asaj që pohohet në fjalinë drejtuese, duke e motivuar dhe argumentuar atë që thuhet tek ajo. Në pjesën e nënrenditur përmbahet shkak, kurse në pjesën kryesore rrjedhim. Pra, në këtë periudhë shprehen marrëdhënie shkak-pasojë.

Ajo u përgjigjet pyetjeve pse? për ç’shkak? për ç’ arsye? Për shembull:

Mos e shtie kafshatën e madhe, se të mbet në fyt.

Mos fol shpesh, // se bahe me qeshë.

Mos fol shumë,// sepse të bien dhëmbët.

Mos u bëj plak në shtëpi të botës, //se të rruajnë mjekrrën.

 

Dhe ty s’të dhemb, aspak s’të dhemb,//

gati je t’i japësh degët njëherësh,//

sepse gjithçka : nga rrënjët te petalet

ti i çele për njerëzit.                         

(B.Londo, Shenjtor dhe djall, Tiranë 2005, f.101)

 

Fjalitë e nënrenditura shkakore mund të shprehin :

  1. marrëdhënie shkakore reale :

Ndoshta këto fjalë nuk i pëlqyen, se e goditën tërthorazi edhe atë vetë.

Ai nuk e prek lirinë e krijimit përderisa në çdo liri ka përherë një humbje lirie.

Ngaqë nuk kishte ngrënën mëngjes, gota e fërnetit e turbulloi.

Nuk lëvizte dot nga frika se mos ia prishte qetësinë nuses.

  1. marrëdhënie shkakore argumetuese :

Çështja duhej të ishte shume serioze, gjersa njerëzit filluan të bluanin edhe me mend.

Duhet të jetë i vuajtur, se e peshon fjalën.

Gjersa po djegin fshatrat, do të tërhiqen.

 

Fjalia e varur shkakore lidhet me fjalinë drejtuese :

  1. me lidhëza e shprehje lidhëzore shkakore: se, sepse, pse, meqenëse, për arsye se, duke marrë parasysh se, që, meqë, ngaqë, për shembull:

Mos qaj nga shiu, //se ka dhe breshër.

Shtiu Mara për Sinanë,// sepse shtiu, ndaj ia dhanë.

Hiqi syrit napën, //se të sjell të prapën.

Rri, moj pulë në shtëpi, //se të hedhin në kusi.

Ngaqë e donte aq shumë, //s’ngopej së shikuari të birin.

Gjeologu i njihte të gjitha malet, //meqë i kishte shkelur me këmbë.

  1. me lidhëza e shprehje lidhëzore kohore me kuptim shkakor: si, pasi, mbasi, kur, qëkur, qëkurse, sapo, posa, derisa, gjersa, përderisa, sa kohë që ; për shembull:

Gjersa kemi arritur në këtë lartësi, //edhe në majë do të kapemi.

Trajneri kishte grumbulluar shumë të rinj në skuadër, //pasi midis tyre gjente talente.

Çdo natë lutem për ta, //pasi nuk e di //ku fillon endrra,

Përderisa të gjithë ne jetojmë në një anije të bardhë.

(F.Rreshpja, Në vetmi,Tiranë, 2004, f.77)

 

A e mban mend djepin, fëminia ime?

Një tufë trumcakësh cicëronjës, zëplotë.

Në ëndrrën e fluturimit qiejt e ardhshëm mbanin,//

Përderisa krahët i kishin aq të fortë.

(B.Londo, Shenjtor dhe djall, Tiranë 2005, f.125)

 

Rendi i fjalive: Pjesa e varur shkakore vjen kryesisht pas fjalisë drejtuese, duke u ndarë prej saj me pauzë gjatë ligjërimit e me presje në të shkruar, bie fjala :

Dalëngadalë, moj zemërvalë,// se vjen moti për kadalë.

Gjarprin mos e nguc në bisht, //sepse të zë në gisht.

 

Hanko, mos kalo mbi varre,//

se të vdekurit i ngjalle,//

të gjallët në varr i kalle.

(Populli)

Këto periudha janë shumë të përdorshme dhe dalin me një larmi ndërtimesh në gjuhën shqipe, duke kombinuar bashkimet asindete me ato asindete, apo edhe në ndërtimet simetrike, si në shembujt e vargjeve më sipër dhe të proverbit në vijim:

Ujkun s’e vrasin //se i kanë inat trimërinë, //po e vrasin //se u ha bagëtinë.

 

Fjalia e nënrenditur shkakore nuk ndahet as me pauzë, as me presje, kur lidhet ngusht me drejtuesen dhe theksohet, fjala vjen :

Mjeku u gëzua //që fëmija bëri më mirë.

 

Ndërsa kur fjalia e varur është para ose në mes të fjalisë drejtuese, ndahet me pauzë dhe me presje, për shembull:

Gjersa hyre në valle, //kërce si shokët.

Në mbrëmje vonë, //meqenëse nuk dilnin shëtitje,// merrnin librat në dorë.

 

Sh ë n i m: Kur fjalia e nënrenditur shkakore me lidhëzat se, pse, sepse vihet para asaj drejtuese, e cila nga ana e saj mund të marrë në krye fjalët : pa, andaj, prandaj. P.sh.:

Se të do,// pa të qorton.

Pse të kam vëlla, //prandaj ta hap zemrën.

 

  1. PERIUDHAT ME FJALI TË NËNRENDITURA QËLLIMORE

 

Periudhë me fjali të nënrenditur qëllimore quhet ajo periudhë në të cilën pjesa e nënrenditur tregon qëllimin për të cilin kryhet veprimi i shprehur në pjesën kryesore.

Në këto periudha fjalia e nënrenditur qëllimore kryen funksionin e rrethanorit të qëllimit në fjalinë e thjeshtë, duke shprehur një fakt të synuar nga ai që kryen veprimin.

Ajo u përgjigjet pyetjeve: përse? me ç’qëllim? për ç’qëllim?

Për shembull :

Foli derës, //të dëgjojë dritarja.

Ushqe ujkun dimrit,// të të hajë verës.

Ka ardhur koha të ma kthesh shaminë, //sepse unë e humba //që ti ta gjesh.

Fjalia e varur e këtyre periudhave lidhet me kryesoren me lidhëzat e shprehjet lidhëzore qëllimore: që, me qëllim që, në mënyrë që, gjoja se.

Ajo e ka foljen-kallëzues në mënyrën lidhore ose edhe në formë të pashtjelluar paskajore (kur kësaj i përgjigjet një kryefjalë e caktuar), për shembull :

Duhet të dalësh në arë,// që të mbjellësh farë.

Bënte çdo mëngjes deri në 5 km, //në mënyrë që të përballonte stërvitjen.

E kërkonte gjithnjë në kohën e lirë,// me qëllim që të përfitonte dije prej tij.

Që të mësosh mirë,// duhet të kesh vullnet të madh.

Luftëtarët qenë maskuar// për të mos u dalluar lëvizjet.

Gjoja se po priste shokët,// bënte disa hapa gjatë rrugës.

 

Rendi i fjalisë së varur qëllimore del në 3 pozicione: para fjalisë drejtuese, pas saj dhe në mes. Në të gjitha rastet ndahet me presje dhe pauzë në ligjërim, me përjashtim të rastit kur lidhet drejtpërdrejt me foljen e fjalisë drejtuese. Shembuj:

Që të arrinte shokët e shkollës, //nisej me kohë nga shtëpia.

Disa herë, //gjoja se ndihmonte të tjerët, //shkonte bankë më bankë.

Duhet të japësh tetë,// që të marrësh dhjetë.

E vogla u ngrit menjëherë //të përqafonte nënën.

 

S h ë n i m: Kur fjalia e varur që vjen pas fjalisë drejtuese nis me folje në mënyrën lidhore, lidhëza mund të mos përdoret, për shembull:

Kam ardhur// të ndihmoj vendin tim.

Do mbuluar pak-e-paku,// të bëhet vandaku.

 

 

  1. PERIUDHAT ME FJALI TË NËNRENDITURA VENDORE

 

Periudhë me fjali të nënrenditur vendore quhet ajo periudhë në të cilën shprehen marrëdhënie vendore midis pjesës së nënrenditur dhe asaj kryesore. Pjesa e nënrenditur shpreh vendin ku realizohet veprimi i pjesës kryesore ose drejtimin e lëvizjes.

Në këto periudha fjalia nënrenditur plotëson fjalinë drejtuese në tërësi ose një gjymtyrë të saj dhe kryen rolin e një rrethanori të vendit. Ajo u përgjigjet pyetjeve ku? nga?

Për shembull :

Ku pështyjnë shumë vetë, vjen e bëhet si kënetë.

Ku ka drejtësi, aty ka liri.

Ku ka zjarr, do dalë dhe tym.

Ke digjet zjarr, ngel dhe hi.

Nxënësit ngritën kokat nga dëgjohej muzika ritmike.

 

Fjalia e nënrenditur vendore bashkohet me fjalinë drejtuese me:

  1. me lidhëza nënrenditëse vendore, si : nga, ku tek;
  2. me shprehje lidhëzore, si : ngado që, kudo që, tekdo që;
  3. me ndajfolje vendi në funksion lidhëzor : ngado, kudo, tekdo. Për shembull :

Tek hyri dredhia, u zhduk miqësia.

Vëri thembrat nga vure majat.

Një numër i madh turistësh të vendeve nordike u kthyen nga kishin ardhur.

Ngado që të shikoje ndodheshe brenda një gjelbërimi të paanë.

Të vegjlit, tekdo gjenden, e ruajnë me respekt kujtimin e mësuesit të parë.

Fjalia drejtuese në këto periudha mund të përmbajë fjalë korrelative të shprehura me ndajfolje vendi: andej, këndej, këtu, atje, aty, etj. Për shembull:

Pylli i gjelbër shtrihej deri atje ku ndante vija kufitare midis dy shteteve.

Në orët e vona mori rrugën i dëshpëruar nga ta shpinin këmbët.

Në periudhat me fjalë korrelative fjalia e varur vendore vihet pas dhe në mes të fjalisë drejtuese dhe nuk ndahet nga korrelati me pauzë në të ligjëruar, as me presje në të shkruar.Vetëm kur qëndron në mes, në fund të saj ndahet me presje, për shembull:

Atje ku dikur shtrihej një lagje me shtëpi të ulëta, tani ngrihen pallate disakatëshe.

Këtu tek sheh pemë frutore të mbjella pa sistem, nesër do të shohësh një plantacion modern.

 

Në periudhat me fjali vendore jokorrelative, fjalia e nënrenditur qëndron pas dhe nuk ndahet as me pauzë e as me presje, veçse mund të jetë edhe para e në mes të drejtueses, duke u ndarë me presje a midis dy presjesh, për shembull:

Ku ka zë, s’ashtë pa gjë.

Ku bën zemra gjyq, mbetet mendja qyq.

Valët e shkumëzuara të lumit të zemëruar gërryenin, ku mundnin, tokën e butë të fermës.

 

  1. PERIUDHAT ME FJALI TË NËNRENDITURA KOHORE

 

  1. Periudha me fjali të varur kohore
  2. Llojet e këtyre fjalive:

- e njëkohësisë,

- e parakohësisë dhe

- e paskohësisë.

 

  1. Periudhë me fjali të nënrenditur kohore quhet ajo periudhë në të cilën shprehen marrëdhënie kohore midis pjesës së nënrenditur dhe asaj kryesore.

Pjesa e nënrenditur tregon kohën kur ndodh veprimi a ngjarja që përmbahet në pjesën kryesore.

Në këto periudha fjalia e nënrenditur plotëson fjalinë drejtuese në tërësi dhe kryen një funksion të ngjashëm me atë të rrethanorit të kohës.

U përgjigjet pyetjeve kur? deri kur? që kur?

Për shembull:

Kur s’ke pishë për vete, mos ndiz qiri për botën.

Kur ka trasta fiq, gjithë botën i bën miq.

Kur vjen miku në shtëpi, ai ha bukën e tij.

Kur erdhën mendtë, treten dhentë.

Kur dhelpra nuk arrijti rrushtë, tha se janë të thartë.

Shprehëse të marrëdhënieve kohore janë lidhëzat nënrenditëse kohore dhe bashkëlidhja e trajtave dhe e kuptimeve kohore të foljeve – kallëzues të pjesëve.

Në këto periudha fjalia e varur bashkohet me fjalinë drejtuese me lidhëzat e shprehjet lidhëzore kohore: kur, që kur, sa, ndërsa, derisa, posa, sapo, para se, si, pasi që, sa herë që

Kur s’e arriu dhia larushkun, tha se u vyshk.

Hani pini e këndoni, sa të jetë lalë Gjoni.

Para se të bëjë mjaltin, bleta bën dyllin.

 

Fjalia e varur mund të bashkohet me kryesoren edhe pa këto mjete kur folja kallëzues e fjalisë së nënrenditur është në formë të pashtjelluar dhe ka kryefjalë të shprehur, për shembull :

Atë ditë të bukur maji, pa dalë mirë dielli, të rinjtë u ngjiten në kalanë e Rozafës.

Me t’u nisur djemtë në mërgim, shtëpinë e mbuloi hidhërimi.

 

Në periudhat me fjali të varur kohore, ndërmjet veprimeve të shprehura nga foljet e përbërësve kallëzuesorë vendosen marrëdhënie të ndryshme, që janë.

 

  • marrëdhënie njëkohësie – kur situatat e të dyja pjesëve janë të njëkohshme ose kur veprimet e shprehura nga foljet kryhen njëkohësisht si në fjalinë e varur ashtu edhe në atë drejtuese. Ajo ka tregues formalë-gramatikorë lidhëzat: kur, tek, sa, ndërsa, sa herë që, që kur, deri sa. Marrëdhënie të tilla mund të shprehen edhe kur kallëzuesi i fjalisë së nënrenditur është në formë të pashtjelluar foljore – me kryefjalë më vete, për shembull :

Sa herë që largohemi nga atdheu, na këput një mall për vendlindjen.

Posa nis agimi, zënë e këndojnë gjelat e parë.

E ndiqte me sy tek humbte në kthesën e rrugës përtej.

Hap pas hapi, duke ndriçuar hëna, mbaruan së korruri.

Pa të humbë mendtë, nuk t’i ha ujku dhentë.

  • marrëdhënie paskohësie – kur shprehen marrëdhënie pasimi në kohë : veprimi apo situata e pjesës kryesore kryhet a ndodh pas asaj të pjesës së nënrenditur, pra, kur veprimi i shprehur nga folja në fjalinë drejtuese kryhet pas atij që shprehet nga folja e fjalisë së varur. Ajo ka tregues formalë-gramatikorë lidhëzat : si, pasi, sapo, posa, sa, kur. Marrëdhënie të tilla mund të shprehen edhe kur fjalia e nënrenditur e ka foljen në formë të pashtjelluar, me kryefjalë më vete, për shembull:

Si arritën në majë, ngritën një flamur të madh.

Të rinjtë u ngritën menjëherë në valle, sa filloi muzika.

Pasi shënuan një gol, lojtarët ishin më të qetë në fushë.

Sapo gjetën shoku-shokun, nuk do të ndaheshin më.

Kur ra zilja, hyri mësuesi në klasë.

Me të arritur të gjithë, nxënësit morën rrugën e malit.

 

  • marrëdhënie parakohësie – kur veprimi apo situata e dhënë në pjesën kryesore kryhet para veprimit a situatës që shprehet në fjalinë e nënrenditur. Ajo ka tregues formalë-gramatikorë lidhëzat : para se, përpara se. Marrëdhënie të tilla mund të shprehen edhe kur fjalia e varur ka folje të pashtjelluar mohore me kryefjalë më vete, për shembull:

Para se të vendosnin, djemtë u këshilluan edhe një herë me prindërit.

Përpara se të gjenin kroin, ndeshen në një plak.

Shpejtoni, djema, të gatitemi, sa pa ardhur autobusi.

Mate veten pa të matur bota.

 

Në periudhat me fjali të nënrenditur kohore fjalia e varur vendoset para, në mes e prapa fjalisë drejtuese dhe ndahet me pauzë në të ligjëruar e me presje në të shkruar; kur vjen pas zakonisht ndahet me presje vetëm kur sqaron një rrethanor kohe, për shembull:

Sa herë që vinte e motra në gjini, shtëpia kishte gëzim të madh.

Javën tjetër, pasi të mbarosh së lexuari këtë roman, do të sjell një tjetër më të bukur.

Fëmijët nuk hynin në det, gjersa qetësoheshin dallgët e shkumbëzuara.

 

 

 

 



Ne propustite nijednu važnu vijest, pretplatite se na vijesti Akademski forum.