Filozofski fakultet, 24.04.2020
PERIUDHA ME FJALI TË VARUR MËNYRORE
Çështjet :
Plaku bëri si deshi vetë.
Siç na dinë, qofshim, siç jemi, mos qofshim.
Si bie daullja, ashtu luhen këmbët.
Si e sheh njerinë, i pre stolinë.
Gjithmonë drejt luftërash shtegtojmë,/ siç po shtegtojnë drejt dimrit retë.
Ju do të keni libra më të bukur,/siç do të keni apartamentet me kaloriferë.
Ne do ta bëjmë vendin tonë të qeshur e të gëzuar, si s’ka qenë kurrë ndonjëherë tjetër.
Në periudhat me fjali të nënrenditur mënyrore kjo e fundit bashkohet me fjalinë drejtuese me anë të lidhëzave : si, siç, ashtu si, sikurse, sikundër, sikundërse, ashtu sikundër, sikur, etj. ( me këtë të fundit shprehet një mënyrë joreale e veprimit, e hamendësuar), për shembull:
Zemra i gufoi sikur do t’i dilte nga kraharori.
Këngët e festivalit ushtuan për disa ditë në kalanë e lashtë ashtu siç ushtonin dikur jehonat e luftës mbi të.
Do kthehen dallëndyshet bashkë me pranverën/ ashtu si vjen ti motër tek fole e vjetër.
Fjalitë mënyrore me lidhëzën si ndeshen dendur, më së shumti, në proverba, të cilat në gjuhën tonë kanë zakonisht rend të zhdrejtë, për shembull:
Si t’i bëjsh hyzmetin, ke dhe bereqetin.
Mbillet fara si të jetë ara.
Siç ka bërë sorra plakë, do të bëjë dhe sorra zogë.
Fjalisë së varur mënyrore mund t’i përgjigjet në fjalinë drejtuese, si fjalë korrelative, edhe një ndajfolje mënyre: ashtu, kështu, sidomos në ato raste kur fjalia e nënrenditur mënyrore qëndron para asaj drejtuese, bie fjala:
Ashtu si ju kujtoja, ashtu ju gjeta.
Siç vepruat në fillim, kështu mos vazhdoni.
Fjalia e varur mënyrore, kur vihet para ose në mes të drejtueses, ndahet prej saj me pauzë dhe me presje. Kur është pas saj zakonisht veçohet me presje në të shkruar, me përjashtim të rasteve kur lidhet drejtpërdrejt me foljen – kallëzues të fjalisë drejtuese, për shembull:
Aty pas mesnate, dasma u nda dhe qyteti ra në qetësi, sikur ta kishin vënë në gjumë.
U shtruan në bisedë sikur të ishin njohur prej vitesh.
Kur saktëson një rrethanor mënyre tek fjalia drejtuese, fjali a varur mënyrore ndahet me presje edhe në qoftë pas foljes-kallëzues, për shembull:
Ashtu do të kthehen, si kanë ardhur.
Folja-kallëzues e fjalive mënyrore është përgjithësisht në mënyrat dëftore, lidhore e dëshirore. Duhet të shënojmë se sinonimike me fjalitë e varura mënyrore janë edhe ndërtimet me përcjellore apo me formën e pashtjelluar mohore, për shembull:
Ajo natë u gdhi, duke kënduar dhëndërri e duke vallëzuar nusja.
Njeriu me paterica, pa u menduar fare, përgjigjet me plot gojën.
Në stile e rrafshe të ndryshme ligjërimore, zakonisht, fjalia e varur mënyrore del me prapavendosje, dmth, pas fjalisë drejtuese, por jo rrallë mund të ndeshen edhe topika të tjera.
Për fjalitë mënyrore duhet të shënojmë se ato i gjejmë shpesh edhe në fjalët e urta, në strukturat e paplota eliptike, ku folja mungon si te njësia e varur, ashtu edhe tek ajo drejtuese, për shembull:
Si ara, fara.
Si zogu, ashtu foleja.
Si koka, kapelja.
Si miku, ashtu lakrori.
Ushtrimi 1: Në periudhat më poshtë dalloni fjalitë e nënrenditura mënyrore, duke treguar rendin, çfarë plotësojnë ato (fjalinë në tërësi apo një gjymtyrë të saj) dhe me ç’mjete bashkohen me fjalitë drejtuese.
Ushtrimi 2: Në periudhat e grupit A vini në vend të pikave lidhëzën e duhur, kurse në ato të grupit B shtoni një fjali të varur ose drejtuese, duke vënën në dukje lidhëzat dhe fjalët korrelative; vini presjet.
PERIUDHA ME FJALI TË NËNRENDITUR KRAHASORE
Periudhë me fjali të nënrenditur krahasore quhet ajo periudhë në të cilën veprimi apo gjendja për të cilën bëhet fjalë në fjalinë drejtuese karakterizohet me anë të një krahasimi me një gjendje të shprehur në fjalinë e varur. Krahasimi mund të bëhet në aspekte të ndryshme (sasior, cilësor etj.), në plane të ndryshme barazie a mosbarazie, mund të tregohet nëse kemi të bëjmë me dy dukuri identike, të ngjashme ose të ndryshme. Për shembull :
Fjalët e tij përhapeshin për ditë, siç përhapet drita e diellit në një ditë të bukur.
Bukuria dhe hijeshia e asaj tabloje më shumë më brengosi sesa më ngjalli kënaqësi.
Ajo bashkohet me të me anë të lidhëzave: sa, aq sa, se, sesa, nga sa, nga ç’, se ç’ etj. Tek fjalitë drejtuese mund të dalin edhe fjalë korrelata ose jo. Për shembull:
Sa jam fjetur tani, //aq i kam mbyllur sytë mbrëmë.
Puna doli më e vështirë// nga ç’e kishte menduar ajo.
Njerëzit vuajnë më shumë kur duhet të vendosin, //sesa kur duhet të binden.
Ishte i zi dhe prandaj e vërteta i dukej edhe më e bardhë// se ç’ishte.
Kishte më shumë nevojë t’i gëzohej jetës së vet,// sesa të qante për vdekjen e doktorit.
Sa të mban peri e gjilpëra, //s’të mban kuti e gërshëra.
Krahasimi në ndërtime periudhash mund të jetë:
Sa i qeshur ishte djali, //aq e zymtë tregohej vajza.
Aq sa afroheshin në punë e mësim, //aq largoheshin në kohën e lirë.
Ata, sikundër kanë ardhur, ashtu do të shkojnë.
Fjalitë krahasore të barazisë tregojnë identitet apo ngjashmëri në shkallën e intensitetit a në mënyrën e realizimit të veprimit, të gjendjes a të tiparit të shprehur në fjalinë e varur, me veprimin, gjendjen e tiparin e shprehur në fjalinë drejtuese.
Krahasim barazie ka edhe atëherë kur ana sasiore e shprehur në fjalinë drejtuese zmadhohet ose zvogëlohet në fjalinë e varur krahasore; mjeti formal gramatikor i bashkimit është lidhëza sa dhe në të dy përbërësit kallëzuesorë përdoren ndajfolje a mbiemra në shkallë krahasore, për shembull:
Sa më shumë u afrohej pyjeve, //aq më tepër mbushej me frymë.
Sa më i lartë të jetë mali, //aq më i rrallë bëhet ajri.
Kur doli nga ai det, Kasi ishte më i etur //se ç’kishte hyrë.
S’ka gjë më të këndshme// se të shëtisësh në një park me lule.
Nënën e bijë atë natë ndenjën zgjuar më shumë //se ç’kishin ndenjur netët e tjera.
Nga lart lumi i Valbonës dukej më i thellë// nga ç’ishte në të vërtetë.
Në periudhat me fjali të nënrenditur krahasore fjalia e varur vihet para, në mes (menjëherë prapa foljes-kallëzues) dhe pas fjalisë drejtuese. Në rastet kur barazia është e zmadhimit ose e zvogëlimit përpjesëtimor, fjalia e varur nuk vjen pas drejtueses. Në të ligjëruar fjalitë ndahen me pauzë e me presje në të shkruar, për shembull:
Aq sa e gëzoi ardhja e vëllait nga mërgimi, //aq e tronditi shëndeti i tij.
Sa më mirë të mbajë koha, //aq më shpejt do të mbarojë kjo rrugë.
Buzëqeshi në mënyrë aq të pastër, //sa ç’ishte e pastër në shpirt.
Ndërsa në periudhat krahasore të pabarazisë, fjalia e nënrenditur vendoset më së shumti pas fjalisë drejtuese; kur vjen fill pas mbiemrit a ndajfoljes në shkallë krahasore, nuk ndahet me pauzë as me presje, bie fjala:
Kostumi sportiv e tregonte më të ri //se ç’ishte në të vërtetë.
Fjalia e varur ndahet me pauzë e me presje nga ajo drejtuese kur nuk gjendet pas mbiemrit apo ndajfoljes në shkallën krahasore, për shembull:
S’kishte provuar lumturi më të madhe në jetë,// sesa kur shihte fëmijët të qeshur e të gëzuar.
Ushtrimi 1 : Dalloni fjalitë e nënrenditura krahasore në periudhat më poshtë dhe tregoni mjetet e lidhjes sintaksore.
Ushtrimi 2 : Gjeni dhe analizoni fjalitë e nënrenditura krahasore të barazisë dhe të pabarazisë, duke treguar mjetet e lidhjes dhe rendin e tyre.
Ushtrim 3 : Plotësoni periudhat me fjali krahasore, duke shtuar, sipas rastit fjalitë drejtuese apo të nënrenditura; vini presjet dhe tregoni ç’lloj fjalish krahasore janë.
Ushtrimi 3 : Dalloni dhe analizoni fjalitë e nënrenditura në periudhat më poshtë.
16.04.2020
STUDIJSKI PROGRAM ZA OBRAZOVANJE UČITELJA NA ALBANSKOM JEZIKU
09.04.2020
STUDIJSKI PROGRAM ZA OBRAZOVANJE UČITELJA NA ALBANSKOM JEZIKU
03.04.2020
STUDIJSKI PROGRAM ZA OBRAZOVANJE UČITELJA NA ALBANSKOM JEZIKU