Nova objava - 29.04.2020 13:40




 

PERIUDHA ME FJALI TË VARUR RRJEDHIMORE

 

Çështjet:

  1. 1. Përkufizimi.
  2. 2. Mjetet sintaksore të lidhjes.
  3. 3. Tipat e periudhave me fjali të varura rrjedhimore:

a). periudha me fjali të varura korrelative (të bashkëlidhur).

b). periudha me fjali të varura jokorrelative (jo të bashkëlidhur).

  1. 4. Topika e fjalive të varura në periudhat rrjedhimore.

 

Literaturë:

- Gramatika e gjuhës shqipe (II) T. 1997

- Fraza me nënrenditje (M.Totoni) T.2000

 

* * *

 

Periudhë me fjali të nënrenditur rrjedhimore quhet ajo periudhë në të cilën shprehen ose marrëdhënie në mes një sasie, shkallës a intensitetit të madh të parashtruar në fjalinë kryesore si shkak dhe pasojës a rrjedhimit që vjen prej saj, të shprehur në fjalinë e varur, ose marrëdhënie në mes faktit a ngjarjes së shprehur nga fjalia kryesore dhe përfundimit logjik të tij, të shprehur në fjalinë rrjedhimore.

Pra, në këto periudha shprehen marrëdhënie në mes të një shkaku, dhënë në fjalinë drejtuese dhe pasojës a rrjedhimit, shprehur në fjalinë e varur. P.sh.:

Atëherë shqetësimi iu kthye me forcë, aq sa filloi t’i rrihte zemra.

 

Gjithashtu, në fjalinë e nënrenditur rrjedhimore tregohet përfundimi a konkluzioni logjik i një ngjarjeje a fakti që jepet në fjalinë drejtuese. Për shembull:

Ushtarët e Skënderbeut thërritën aq fort, sa ushtuan malet.

Në ato vite nuk mund të punonte më kështu që mbeti rreth shtëpisë.

I trullosur, si pas një goditjeje në kokë, vërtitesha i ngrysur nëpër institut, saqë shumë nga shokët më pyesnin “ç’ke pësuar”.

 

Për lidhjen e njësive kallëzuesore përbërëse, në periudhat me fjali të varura rrjedhimore, përdoren lidhëzat e lokucionet lidhëzore: sa, saqë, aq sa, që, kështu që , duke u ndarë në dy nëntipa:

  1. periudha me fjali të varur rrjedhimore të bashkëlidhur (korrelative),
  2. periudha me fjali të varur rrjedhimore jo të bashkëlidhur (jokorrelative).

 

Në nëntipin me fjali të varur rrjedhimore të bashkëlidhur (korrelative), ku lidhëzës i përgjigjet ose mund t’i përgjigjet një fjalë e bashkëlidhur (korrelative) në fjalinë kryesore, fjalia e varur tregon një rrjedhim si rezultat i    një sasie, shkalle, intensiteti të madh ose i një cilësie të shprehur në kryesoren; lidhja ndërmjet fjalive është e ngushtë.

Si fjalë korrelata në fjalinë drejtuese shërbejnë ndajfoljet: aq, kaq; përemri: i atillë, i tillë; shprehje të ndryshme: gjer atje, në atë gradë, deri atje, në atë pikë, në atë shkallë etj.; ndajfoljet e sasisë: mjaft, tepër.

Fjalët korrelata aq, kaq përcaktojnë një emër, një ndajfolje a një mbiemër, si : aq i madh, aq i mirë, aq njerëz, aq trimëri, për shembull:

U tregua aq i zoti, sa i trembi të gjithë.

Tregoi trupin me aq seriozitet sa zuri të përplaste takat.

Me korrelatat mjaft, tepër jepet shkalla e cilësisë apo e tiparit, b.f.:

E motra ishte tepër e ngathët që të merrte pjesë në vrapime.

 

Kurse përemrat dëftorë i tillë, i atillë – si korrelata – tregojnë cilësi, f.v.:

Koha është e tillë që asnjë student s’duhet ta kalojë kohën kot.

 

Një shkallë të lartë të shtjellimit të veprimit të fjalisë drejtuese në periudhat me fjali të nënrenditur rrjedhimore, japin korrelatat frazeologjike: gjer atje, gjer në atë shkallë, në këtë ditë etj., për shembull:

Puna kishte vajtur gjer atje sa duhej ndërhyrë menjëherë.

Arriti gjer në këtë ditë, sa të mos merrte asnjë lajm për fëmijët e mërguar.

 

Ndërtimet me fjalët korrelata mjaft, shumë, tepër janë karakteristikë për stilin publicistiko-shkencor.

 

Në nëntipin me fjali të varur rrjedhimore jo të bashkëlidhur (jo korrelative), ku lidhëzës nuk i përgjigjet dhe nuk mund t’i përgjigjet në fjalinë kryesore ndonjë fjalë e bashkëlidhur (korrelative), fjalia e varur tregon një “rrjedhim të thjeshtë”, një përfundim logjik që nxirret nga brendia e tërë fjalisë kryesore : lidhja ndërmjet fjalive është e çlirët.

Fjalitë e nënrenditura rrjedhimore jokorrelative lidhen me fjalinë drejtuese me anë të lidhëzave e lokucioneve lidhëzore: aq sa, që, kështu që, për shembull:

Ka qenë edhe i varfër aq sa shpesh vinte zbathur në klasë.

Më dukej se e kisha vëlla aq shumë më kishte hyrë në zemër.

Gjatë sëmundjes nuk mbetej kurrë pa shokë, kështu që nuk e ndiente vetminë.

Ti nuk je njerka ime që të më marrësh nëpër këmbë.

 

Fjalitë e nënrenditura rrjedhimore, të të dy tipave, gjatë aktualizimit të periudhës, dalin me rend të ngurosur: me prapavendosje, si rend logjik i tyre, sepse rrjedhimi vjen pas shkakut që e prodhon. Fjalia e varur rrjedhimore kumton diçka të njohur nga konteksti apo situata, ose një fakt që s’ka lidhje me këto, por që ka karakter përgjithësues, që del nga përvoja dhe që prandaj është i njohur prej të gjithëve.

Ai nuk ka peshë kumtuese, është temë (T) e periudhës. Për shembull:

Po ç’e shtyu, vallë, Moisiun e Dibrës, që të kryente një vepër kaq mëkatare?

Sido që të jetë, fjalia e varur rrjedhimore (korrelative apo jokorrelative), për arsye theksimi, ndahet me pauzë nga fjalia drejtuese, për shembull:

Do ta bëj që të kafshojë dheun me dhëmbë. (B.Xhaferri).

 



Ne propustite nijednu važnu vijest, pretplatite se na vijesti Akademski forum.