Nova objava - 07.05.2020 12:25




PERIUDHA ME FJALI TË VARUR KUSHTORE

 

Çështjet:  

  1. Përkufizimi dhe kuptimi i përgjithshëm. Shembuj.
  2. Grupimet sipas kuptimit të periudhave me fjali të varura kushtore.
  3. Ndërtimi i periudhave me fjali të varura kushtore dhe mjetet e lidhjes.
  4. Grupimi sipas ndërtimit i periudhave me fjali të varura kushtore.
  5. Topika e fjalisë së varur kushtore ndaj fjalisë drejtuese.
  6. Ndërtimet me forma foljore të pashtjelluara të fjalive kushtore.

 

Literaturë: - Gramatika e gjuhës shqipe (II), T. 1997

- Fraza me nënrenditje (M.Totoni), T. 2000

 

*      *       *

 

Periudhë me fjali të nënrenditur kushtore quhet ajo periudhë në të cilën shprehen marrëdhënie kusht pasojë. Ajo paraqet dy veprime a gjendje të ndërvarura midis tyre në mënyrë të tillë që realizimi a mosrealizimi i asaj që thuhet në fjalinë e varur, e bën të pashmangshme, të mundur ose të pamundur atë për të cilën bëhet fjalë në fjalinë drejtuese.

Në periudhat me fjali kushtore, kushtëzimi konkretizohet si lidhje e ndërsjelltë situatash, nga të cilat, njëra, ajo që përmbahet në fjalinë kryesore, është pasojë a rrjedhim; tjetra, ajo që përmbahet në fjalinë e nënrenditur, është kusht (ndryshe: shkak hipotetik).

Po t’jemi bashkë ne të dy,

Do t’na shikojnë me zili

E do t’na flasin ndër sy

Sa duhemi unë dhe ti.

(Popullore)

Në poezinë e kultivuar ndodh që në strukturën sintaksore të vargjeve, fjalitë me marrëdhënie kushtore të krijojnë simetri me fjalitë drejtuese, si bie fjala :

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,

Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur;

Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë,

Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.

(V.Blloshmi, Vepra I, Tiranë 2008,f.80)

 

Lidhjet kushtore kanë karakter hipotetik. Ato nënkuptojnë :

  • një periudhë të kundërt që alternohet me periudhën e dhënë; për shembull:

Nëse ndonjë frymë nuk do t’ia presë turrin, fort shpejt do ta kemi këtu.

(Anton Pashku)

  • nënkupton të kundërtën e asaj që thuhet në fjalinë drejtuese, p.sh. :

Nëse ndonjë frymë do t’ia presë turrin, nuk do ta kemi këtu.

 

Siç shihet, ky nënkuptim të kundërtash, arrihet duke alternuar raportet mohuese me ato pohuese, konkretisht, në shembujt e dhënë: Mohimi në fjalinë e varur – pohim në fjalinë drejtuese (Mfv- Pfdr) dhe pohimi në fjalinë e varur – mohimi në fjalinë drejtuese (Pfv – Mfdr).

 

Në mënyrë më të sintetizuar përkufizimi dhe kuptimi i periudhave me fjali të varura kushtore, do të mund të jepej edhe kështu:

Në periudhat me fjali kushtore shprehen marrëdhënie kusht – pasojë. Fjalia e varur tregon kushtin, nga realizimi i të cilit varet realizimi i veprimit në fjalinë drejtuese.

Për shembull:

Po të më merte mbreti mua për grua, do t’i bëja një qilim të madh sa të mbulonte tërë mbretërinë.

Ta jap fjalën, po kalova, në takim më shpesh do’shkoj.

 

Në strukturën e periudhës hipotetike, fjalia e varur që tregon kushtin, quhet protazë, kurse fjalia drejtuese a kryesore, quhet apodozë[1].

 

Për fjalitë e nënrenditura kushtore, prof. E. Çabej thekson se ato paraqiten ndyshe në çdo gjuhë indoevropiane. Në lashtësi, kanë qenë shumë herë asindete (pa lidhëza). Kurse studiuesi tjetër, Paul Kretschmeri, ka vënë re që fjalitë kushtore pa një lidhëz kanë qenë në fillim fjali pyetëse, të cilat u zhvilluan pastaj në fjali kushtore, gjë që shihet edhe në disa proverba të shqipes, për shembull, në Jug thonë :

Ngordhi dhia u prish miqësia.

ose :

Ngordhi kau u prish parmenda.

Kjo dukuri (si element i gjuhës së folur) del në dukje, pasi në segmentet e para të këtyre periudhave (Ngordhi dhia... Ngordhi kau...), zëri ngrihet ashtu si do të duhej shqiptuar fjalia pyetëse e drejtë : Ngordhi dhia?... Ngordhi kau? Një shpjegim i tillë nuk i përket vetëm shqipes, por edhe gjuhëve të tjera[2].

Për nga kuptimi periudhat me fjali të varura kushtore ndahen në dy grupe kryesore :

  1. periudha me fjali kushtore të mundësisë, në të cilat kushti e pasoja janë të realizueshme, pra përputhen me realitetin, për shembull:

Në qoftë djali djalë, nuk mund t’ia kthejë prapë.

Në qoftë se do të merren masa, gjendja do të përmirësohet.

Ndryshe këto quhen edhe marrëdhënie kushtore reale, domethënë, pasoja realizohet mbasi realizohet apo është realizuar kushti, f.v.:

Në qoftë se ha një drekë të mirë, nuk ka nevojë për darkë.

Në fjetsh me qen, çohesh me pleshta.

Ta jap fjalën, po kalova, në takim më shpesh do shkoj.

  1. periudha me fjali kushtore të pamundësisë, në të cilat kushti e pasoja janë të parealizueshme, pra përmban një kusht që nuk përputhet me realitetin, b.f.:

Sikur të ishte bërë penalltia rezultati i ndeshjes nuk do të ishte ai.

Sikur të kthehej përsëri tek ne, sa i lumtur do të isha.

Këto marrëdhënie quhen ndryshe edhe marrëdhënie kushtore joreale, domethënë që fjalia e nënrenditur përmban një kusht që nuk përputhet me realitetin, sepse është subjektiv ose i parealizueshëm në çastin e ligjërimit, për shembull:

Sikur të mblidhnin gjithë mizat mjaltë, do të bëhej një lek oka.

Kurse për nga ndërtimi, periudhat me fjali të varura kushtore ndahen në dy grupe:

  • periudha me fjali të varura kushtore lidhëzore (sindete)
  • periudha me fjali të varura kushtore jolidhëzore (asindete).
  1. Në periudhat me fjali të nënrenditura kushtore lidhëzore (sindete), fjalia e varur lidhet me fjalinë drejtuese me lidhëzat e lokucionet lidhëzore: në, në qoftë se, në se, në është se, në rast se, po, po qe se, po qe që, po të jetë se, po të jetë që, sikur, me kusht që, me konditë që, kur. Këto lidhëza kushtëzojnë edhe përdorimin e mënyrave dhe të kohëve të ndryshme foljore, si: dëftorja, lidhorja e dëshirorja; ashtu edhe qënien e fjalive kushtore reale dhe joreale, duke marrë edhe vlera të caktuara kuptimore.

Një grup fjalish të varura kushtore lidhet me lidhëzën e lokucione të formuar me të, si b.f.: në qoftë se, në është se, në rast se dhe shprehin kusht të mundshëm, të supozuar apo të dëshiruar. Fjalitë kushtore me lidhëzën janë të mbarë gjuhës e të të gjitha stileve. Foljen-kallëzues e kanë në mënyrat dëshirore e dëftore . Fjalitë që lidhen me lokucionet e mësipërme i kanë foljet-kallëzues në mënyrat dëftore ose kushtore, për shembull:

Në qoftë se toka do të varfërohet, edhe pema do të vyshket. (kusht i mundshëm). Nëse do të ishte dhjetë vjet më i ri, puna e fëmijës do të shkonte ndryshe. (kusht i pamundshëm).

Fjalitë kushtore me lidhëzën po e me lokucionet e formuara me të: po qe se, po qe që, po të jetë se, po të jetë që etj., shprehin raporte kushtore të mundësisë dhe të pamundësisë dhe janë tipi më i rëndomtën gjuhën letrare, sidomos me lidhëzën po dhe foljen-kallëzues në mënyrën dëftore, për shembull:

Po të jemi të lidhur ne shqiptarët, çështja kombëtare do të jetë e fituar.

Me lidhëzën sikur fjalitë kushtore e kanë më të theksuar karakterin supozues të kushtit dhe shprehin një hipotezë apo dëshirë, më të shumtën e herës, joreale, bile edhe në kundërshtim me realitetin, për shembull:

Sikur të të kisha parë, do të të njihja menjëherë.

Në m’ u kalbtë-o rripi i pushkës,

nëno moj në shi e n’erë/

do ta lidh në ballë të luftës

me gërshetin tim të prerë.

Lokucionet lidhëzore me kusht që, me konditë që, mjaft që janë formime të reja për shqipen dhe fjalitë e ndërtuara me to shprehin modalitet të mundësisë, fjala vjen :

Ne i pranojmë propozimet tuaja, me kusht që edhe ju t’i respektoni tonat.

 

Ka edhe fjali të varura kushtore me lidhëzën kohore kur , e cila e humbet kuptimin kohor dhe fiton kuptim kushtor, për shembull:

Nuk mund të jesh i lirë, kur nuk mbron lirinë e tjetrit.

 

  1. Fjalitë kushtore jolidhëzore (asindete) bashkohen me fjalitë drejtuese me anë të formës lidhore të foljes-kallëzues dhe mund ta marrin edhe lidhëzën përkatëse (po), për shembull :

Të qenkësha si ti, djalë,

Muratit i pinja gjaknë.

(Naimi)

Të merrte frika, të vështroje poshtë urës së lartë.

ose:

 

Kam një lëmsh në zemër,

S’di kujt t’i ankohem;

T’u ankohem maleve,

Malet më largohen;

 

T’u ankohem fushave

Fushat mjegullohen;

T’u ankohem çupave,

Çupat po martohen!

(D.Agolli)

Pranohen si kushtore edhe ndërtimet e pashtjelluara të tipit pa marrë pjesë + emër a përemër dhe duke punuar + kryefjalë .P.sh.:

Pa u përpjekur të gjithë, nuk arrijmë asgjë.

Duke punuar ai e duke ndenjur ti, nuk mbahet shtëpia.

 

Fjalitë kushtore nuk kanë e nuk pranojnë korrelata; rendi i tyre është i lirë dhe në çdo pozicion ndahen me presje.

Unë po i harroj të gjitha, me kusht që edhe ti t’i harrosh.

Do të jetë më keq, po të humbas lirinë.

Po u përpoqe të më gënjesh edhe mua, atëherë ke marrë fund si njeri.

Kjo hamëndje, po të ishte e vërtetë, do t’i pëlqente shumë.

 

*   *   *

 

  

 

 

Ushtrimi 1 : Shkruani fragmentin dhe plotësoni kërkesat më poshtë:

 

Në Evropë, pas dështimit të kryqëzatës, flitej se Skënderbeu do t’u shkonte në ndihmë të krishterëve. Si dhe kur do të bëhej kjo asnjeri nuk e dinte. Ky ishte një mendim i marrë që fryhej duke ushqyer vetveten në një zonë lufte ku popujt e çoroditur nga vërshimi turk nuk dinin ku të kapeshin tjetër.

( S. Godo, Skënderbeu, T. 1975, f. 380-381)

  1. Jepuni vlerë predikative gjymtyrëve të veçuara, duke emërtuar funksionin e përftuar.
  2. Ktheni në fjali formën e pashtjelluar dhe emërtoni funksionin sintaksor të saj.
  3. Bashkoni tri njësitë e dhëna në një periudhë të vetme, me kusht që: njësia 1 me njësinë 2 të lidhen me parataksë; kurse njësia 2 me njësinë 3, me hipotaksë.
  4. Shkruani periudhën e formuar dhe bëni analizën e plotë sintaksore të saj, bashkë me skemën.

 

 

 

[1] Kostaq Cipo, Sintaksa, Tiranë, 1952, f. 95. Për termat protazë dhe apodozë, Fjalori i Garzantit, shënon:

protasi –vjen nga lat e vonë protăsi, me burim gr. prótasis (proténein), vendos para; apodosa- gr. apódosis, kthim, rivendosje, shpjegim.

[2] E.Çabej, Hyrje në indoeuropianistikë (Leksionet e Prishtinës), Tiranë 2008, f.228.



Ne propustite nijednu važnu vijest, pretplatite se na vijesti Akademski forum.